Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

16 janar 2023

Sot, më 16 janar 2023, e hënë, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, priti në Takim Përfaqësuesit e KFOR-it, të udhëhequr nga Toger Alessandro Marino, Komandant i Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim, përgjegjës për Komunën e Prishtinës.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, falënderoi KFOR-in për angazhimin e tij në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë, e sidomos e falënderoi për veprimet e fundit në menaxhimin e situatës në veri të vendit.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, i informoi përfaqësuesit e KFOR-it për veprimet sindikale e sidomos për bashkëpunimin me Partnerin Social – Qeverinë, qëllim ky për të ruajtur dinjitetin e të punësuarit pa e prishur rendin e qetësinë shumë të nevojshme në mjedisin tonë, kur gjithandej botës e sidomos në Evropë e edhe në Kosovë kemi një paqe të brishtë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

29 korrik 2022

Sot, e premte, 29 korrik 2022 në Tiranë, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, dhe anëtari i Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së dhe njëherësh Koordinator i Organizimeve në SBASHK, z. Ymer Ymeri, u pritën në takim nga Drejtori i Programit Vendor të Qendrës së Solidaritetit (Solidarity Center) për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Steven McCloud dhe stafi i tij.

Qëllimi i takimit të sotëm në Tiranë ishte vazhdimi i ndërtimit dhe i forcimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve me synimin mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Drejtori i Programit Vendor të Qendrës së Solidaritetit (Solidarity Center) për Shqipëri Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Steven McCloud, ritheksoi prioritetet e Qendrës së Solidaritetit përkitazi me mbështetjen e BSPK-së, mbështetje e cila do të realizohet përmes programeve të forcimit të kapaciteteve të sindikatave që ato të mund negociojnë kontrata kolektive që mbrojnë të drejtat e punëtorëve; nëpërmjet të programeve që mundësojnë avokimin për sisteme dhe standarde më të mira të sigurisë dhe të shëndetit në punë; si edhe nëpërmjet të programeve që mbështesin përfshirjen në sindikata të punëtorëve që historikisht janë të përjashtuar dhe duke u siguruar që të drejtat e tyre të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në negociatat dhe avokimin e sindikatave.

Në fjalën e tij Kryetari i BSPK-së, z. Hykolli, falënderoi z. McCloud për të gjitha përpjekjet që Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut është duke bërë për bashkëpunim të qëndrueshëm me BSPK-në, dhe theksoi se Konfederata Sindikale që ai përfaqëson do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në Kosovë dhe do të vazhdojë të rrisë përpjekjet për të plotësuar nevojat e tyre për punë të denjë dhe jetesë më të mirë.

Anëtari i Kryesisë Ekzekutive dhe njëherësh Koordinatori i organizimeve në SBASHK, z. Ymeri, ngriti çështjen e përmirësimit të figurës dhe të dinjitetit të mësuesve në Kosovë te publiku i gjerë. Sipas z. Ymeri, në dhjetë vjetët e fundit, figura e mësuesit është zhvlerësuar dhe roli i tij mjaft vendimtar në edukimin e brezave është zbehur.

Sipas z. McCloud, në tetor Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut do të organizojë një konferencë rajonale me fokus “Përmirësimin e kushteve të punës së mësuesve”. Z. McCloud, po ashtu bëri me dije se çështja e rikthimit të dinjitetit të mësuesve dhe njohja e kontributit të tyre të vyer në shoqëri do të jetë një çështje mjaft e mirë për t’u diskutuar nga përfaqësuesit e sindikatave të arsimit nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut të cilët do të jenë pjesëmarrësit kryesorë të konferencës.

Gjithashtu, z. Ymeri solli në vëmendje të të pranishmëve në takim, se me gjithë kontributin e madh të SBASHK-ut, si për shembull: trajnimet që kjo sindikatë ofron çdo vit për afërsisht 5.500 mësues që ata të mund të ofrojnë arsim cilësor; si dhe kontributin historik që kjo sindikatë së bashku me BSPK-në kanë dhënë në përmirësimin e situatës së arsimit në Kosovë; ka nevojë që kjo punë të promovohet te publiku për të treguar realisht përpjekjet dhe rezultatet e angazhimit të BSPK-së dhe SBASHK-ut.

Në takimin e sotëm, i cili u mbajt në zyrat e Qendrës së Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të gjithë partnerët ranë dakord që në vijim do të punohet më shumë për të hartuar fushata ndërgjegjësimi me mesazhe të mirëstrukturuara, për të përcjellë te publiku zërin e sindikatave të arsimit dhe rolin e çmuar që ato kanë në përmirësimin e të drejtave të punës së mësuesve ose në përgjithësi të punëtorëve në Kosovë.

Z. Steven McCloud premtoi dhe u zotua që Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut do të jetë një partner i qëndrueshëm për BSPK-në dhe është e hapur për të mbështetur aktivitete që federatat sindikale anëtare të BSPK-së do të propozojnë për të përmbushur qëllimin e përbashkët të forcimit të rolit të sindikatave në botën e punës në Kosovë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Në mjediset e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, sot, e premte, më 25 shkurt 2022, Kryesia e Ekzekutive e BSPK-së mbajti takim për situatën aktuale dhe zhvillimet fundit. Përfaqësuesit e Federatave Sindikale dhe e Shoqatave Sindikale anëtare të BSPK-së u solidarizuan edhe njëherë me popullin e Ukrainës dhe kolegët e tyre sindikalistë në Ukrainën e trazuar. Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, i informoi anëtarët e Kryesisë Ekzekutive që BSPK ka dërguar letër përkrahëse për Sindikatat e Ukrainës dhe i është bashkuar protestës së ITUK-ut (Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave) e cila fuqishëm është me popullin e Ukrainës dhe po aq fuqishëm ka dënuar agresionin e Rusisë mbi integritetin edhe demokracinë ukrainase dhe evropiane e gjithë botërore. Kryesia Ekzekutive debatoi edhe për gjendjen në Kosovë, e sidomos ndërlidhur me draftimin e Projektligjit për Paga dhe vështirësimin e jetës dhe tejkeqësimin e mirëqenies sociale të krijuar nga rritja e pakontrolluar e çmimeve e sidomos edhe nga mospërmbushja me kohë e zotimeve të partnerit social – Qeverisë.Kryesia Ekzekutive vendosi njëzëri që përfaqësuesi i BSPK-së të takohet urgjentisht me kreun e Qeverisë për të shprehë pakënaqësitë e arsyeshme të krijuara nga mospërmbajtja e zotimeve të dhëna lidhur me draftimin e Projektligjit për Pagat.BSPK është në pritje të shtojcave zyrtare të Projektligjit për Pagat që ato të mund të analizohen mirë që anëtarët e Grupit Punues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike (MPBAP-së) për hartimin e Projektligjit për Paga që e përfaqësojnë BSPK-në të dalin bashkërisht me qëndrime parimore dhe profesionale për harmonizim e vërejtjeve eventuale.BSPK rri pas propozimit dhe e përkrah fuqishëm, që vetëm bashkërisht dhe me punë profesionale të profesionistëve të partnerëve socialë Projektligji për Paga do të mund ta marrë formën e duhur të qëndrueshmërisë juridike dhe të kuptueshmërisë gjuhësore. Veprimet e BSPK-së janë të bashkërenditura plotësisht, prandaj të gjithë partnerët socialë duhet të takohen rregullisht që Grupi Punues të jetë në gjendje të draftojë në mënyrë profesionale Projektligjin për Paga.Secili prej nesh di se si është gjendja e tashme me pagat të cilat llogariten me koeficientet e përcaktuar jo mirë e të cilave ju shtohen shtesat që në të shumtën e rasteve nuk janë si duhet, duhen ndryshuar me Projektligjin për Paga.Kryesia Ekzekutive e BSPK-së duke e ditur se gjendja e mirëqenies sociale e vështirësuar për shkak të pandemisë e së voni edhe për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve esenciale si dhe të energjisë elektrike e të karburanteve ka sfiduar keq të punësuarit, të cilëve ka kohë që nuk u janë harmonizuar koeficientet e rregulluar pagat, atëherë ne duhet të veprojmë, dhe përderisa pritet të draftohet Projektligjit për Pagat, BSPK do të kërkoj nga kreu i Qeverisë që të gjithë të punësuarve t’ju jepet një shtesë prej 100€.BSPK duhet të këmbëngulë që të vazhdohet të punohet në tekstin fillestar të Projektligjit për Paga, dhe të evidentohen parregullsitë e tashme në sistemin e pagave i cili pritet të rregullohet si duhet me Projektligjin e Pagave. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret dhe zotohet që të përmbyllet shpejt dhe drejt teksti përfundimtar i Projektligjit për Pagat e deri atëherë të gjendet rruga e duhur nga Partneri Social që të gjithë të punësuarve t’ju jepet një shtesë prej 100€.Kryetari i BSPK-së