Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

29 korrik 2022

Sot, e premte, 29 korrik 2022 në Tiranë, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, dhe anëtari i Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së dhe njëherësh Koordinator i Organizimeve në SBASHK, z. Ymer Ymeri, u pritën në takim nga Drejtori i Programit Vendor të Qendrës së Solidaritetit (Solidarity Center) për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Steven McCloud dhe stafi i tij.

Qëllimi i takimit të sotëm në Tiranë ishte vazhdimi i ndërtimit dhe i forcimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve me synimin mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Drejtori i Programit Vendor të Qendrës së Solidaritetit (Solidarity Center) për Shqipëri Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Steven McCloud, ritheksoi prioritetet e Qendrës së Solidaritetit përkitazi me mbështetjen e BSPK-së, mbështetje e cila do të realizohet përmes programeve të forcimit të kapaciteteve të sindikatave që ato të mund negociojnë kontrata kolektive që mbrojnë të drejtat e punëtorëve; nëpërmjet të programeve që mundësojnë avokimin për sisteme dhe standarde më të mira të sigurisë dhe të shëndetit në punë; si edhe nëpërmjet të programeve që mbështesin përfshirjen në sindikata të punëtorëve që historikisht janë të përjashtuar dhe duke u siguruar që të drejtat e tyre të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në negociatat dhe avokimin e sindikatave.

Në fjalën e tij Kryetari i BSPK-së, z. Hykolli, falënderoi z. McCloud për të gjitha përpjekjet që Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut është duke bërë për bashkëpunim të qëndrueshëm me BSPK-në, dhe theksoi se Konfederata Sindikale që ai përfaqëson do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në Kosovë dhe do të vazhdojë të rrisë përpjekjet për të plotësuar nevojat e tyre për punë të denjë dhe jetesë më të mirë.

Anëtari i Kryesisë Ekzekutive dhe njëherësh Koordinatori i organizimeve në SBASHK, z. Ymeri, ngriti çështjen e përmirësimit të figurës dhe të dinjitetit të mësuesve në Kosovë te publiku i gjerë. Sipas z. Ymeri, në dhjetë vjetët e fundit, figura e mësuesit është zhvlerësuar dhe roli i tij mjaft vendimtar në edukimin e brezave është zbehur.

Sipas z. McCloud, në tetor Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut do të organizojë një konferencë rajonale me fokus “Përmirësimin e kushteve të punës së mësuesve”. Z. McCloud, po ashtu bëri me dije se çështja e rikthimit të dinjitetit të mësuesve dhe njohja e kontributit të tyre të vyer në shoqëri do të jetë një çështje mjaft e mirë për t’u diskutuar nga përfaqësuesit e sindikatave të arsimit nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut të cilët do të jenë pjesëmarrësit kryesorë të konferencës.

Gjithashtu, z. Ymeri solli në vëmendje të të pranishmëve në takim, se me gjithë kontributin e madh të SBASHK-ut, si për shembull: trajnimet që kjo sindikatë ofron çdo vit për afërsisht 5.500 mësues që ata të mund të ofrojnë arsim cilësor; si dhe kontributin historik që kjo sindikatë së bashku me BSPK-në kanë dhënë në përmirësimin e situatës së arsimit në Kosovë; ka nevojë që kjo punë të promovohet te publiku për të treguar realisht përpjekjet dhe rezultatet e angazhimit të BSPK-së dhe SBASHK-ut.

Në takimin e sotëm, i cili u mbajt në zyrat e Qendrës së Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të gjithë partnerët ranë dakord që në vijim do të punohet më shumë për të hartuar fushata ndërgjegjësimi me mesazhe të mirëstrukturuara, për të përcjellë te publiku zërin e sindikatave të arsimit dhe rolin e çmuar që ato kanë në përmirësimin e të drejtave të punës së mësuesve ose në përgjithësi të punëtorëve në Kosovë.

Z. Steven McCloud premtoi dhe u zotua që Qendra e Solidaritetit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut do të jetë një partner i qëndrueshëm për BSPK-në dhe është e hapur për të mbështetur aktivitete që federatat sindikale anëtare të BSPK-së do të propozojnë për të përmbushur qëllimin e përbashkët të forcimit të rolit të sindikatave në botën e punës në Kosovë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së