Në mjediset e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, sot, e premte, më 25 shkurt 2022, Kryesia e Ekzekutive e BSPK-së mbajti takim për situatën aktuale dhe zhvillimet fundit. Përfaqësuesit e Federatave Sindikale dhe e Shoqatave Sindikale anëtare të BSPK-së u solidarizuan edhe njëherë me popullin e Ukrainës dhe kolegët e tyre sindikalistë në Ukrainën e trazuar. Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, i informoi anëtarët e Kryesisë Ekzekutive që BSPK ka dërguar letër përkrahëse për Sindikatat e Ukrainës dhe i është bashkuar protestës së ITUK-ut (Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave) e cila fuqishëm është me popullin e Ukrainës dhe po aq fuqishëm ka dënuar agresionin e Rusisë mbi integritetin edhe demokracinë ukrainase dhe evropiane e gjithë botërore. Kryesia Ekzekutive debatoi edhe për gjendjen në Kosovë, e sidomos ndërlidhur me draftimin e Projektligjit për Paga dhe vështirësimin e jetës dhe tejkeqësimin e mirëqenies sociale të krijuar nga rritja e pakontrolluar e çmimeve e sidomos edhe nga mospërmbushja me kohë e zotimeve të partnerit social – Qeverisë.Kryesia Ekzekutive vendosi njëzëri që përfaqësuesi i BSPK-së të takohet urgjentisht me kreun e Qeverisë për të shprehë pakënaqësitë e arsyeshme të krijuara nga mospërmbajtja e zotimeve të dhëna lidhur me draftimin e Projektligjit për Pagat.BSPK është në pritje të shtojcave zyrtare të Projektligjit për Pagat që ato të mund të analizohen mirë që anëtarët e Grupit Punues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike (MPBAP-së) për hartimin e Projektligjit për Paga që e përfaqësojnë BSPK-në të dalin bashkërisht me qëndrime parimore dhe profesionale për harmonizim e vërejtjeve eventuale.BSPK rri pas propozimit dhe e përkrah fuqishëm, që vetëm bashkërisht dhe me punë profesionale të profesionistëve të partnerëve socialë Projektligji për Paga do të mund ta marrë formën e duhur të qëndrueshmërisë juridike dhe të kuptueshmërisë gjuhësore. Veprimet e BSPK-së janë të bashkërenditura plotësisht, prandaj të gjithë partnerët socialë duhet të takohen rregullisht që Grupi Punues të jetë në gjendje të draftojë në mënyrë profesionale Projektligjin për Paga.Secili prej nesh di se si është gjendja e tashme me pagat të cilat llogariten me koeficientet e përcaktuar jo mirë e të cilave ju shtohen shtesat që në të shumtën e rasteve nuk janë si duhet, duhen ndryshuar me Projektligjin për Paga.Kryesia Ekzekutive e BSPK-së duke e ditur se gjendja e mirëqenies sociale e vështirësuar për shkak të pandemisë e së voni edhe për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve esenciale si dhe të energjisë elektrike e të karburanteve ka sfiduar keq të punësuarit, të cilëve ka kohë që nuk u janë harmonizuar koeficientet e rregulluar pagat, atëherë ne duhet të veprojmë, dhe përderisa pritet të draftohet Projektligjit për Pagat, BSPK do të kërkoj nga kreu i Qeverisë që të gjithë të punësuarve t’ju jepet një shtesë prej 100€.BSPK duhet të këmbëngulë që të vazhdohet të punohet në tekstin fillestar të Projektligjit për Paga, dhe të evidentohen parregullsitë e tashme në sistemin e pagave i cili pritet të rregullohet si duhet me Projektligjin e Pagave. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret dhe zotohet që të përmbyllet shpejt dhe drejt teksti përfundimtar i Projektligjit për Pagat e deri atëherë të gjendet rruga e duhur nga Partneri Social që të gjithë të punësuarve t’ju jepet një shtesë prej 100€.Kryetari i BSPK-së