Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, zhvilloi takim pune me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, z. Matthias Themel, Ekspertin për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore të Fondacionit Evropian për Trajnime. Gjatë këtij takimi, u diskutuan disa çështje me rëndësi për zhvillimin e dialogut social në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, me fokus të veçantë në:

1. Problemet e ndërlidhjes me organizatat përfaqësuese të vendeve të BE-së – duke adresuar sfidat e shumta që Kosova po përballet në lidhje me komunikimin dhe bashkëpunimin efektiv me organizatat homologe të vendeve të Bashkimit Evropian. Fushë e rëndësisë së veçantë që kërkon përmirësime të mëtejshme.

2. Rishikimin e Kontratës së Përgjithshme Kolektive – dhe përkitazi me këtë z. Matthias Themel shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur BSPK-në në rishikimin e draftit të Kontratës së Përgjithshme Kolektive, duke sjellë në këtë proces ekspertizën e tij në bashkëpunim me Fondacionin Evropian për Trajnime – ETF.

3. Krijimin e një baze të fortë për dialog social – prandaj një nga temat kryesore të diskutuara ishte nevoja për të ndërtuar bazën e duhur për dialog social mes palëve të interesit, me qëllim përmirësimin e aftësive, vendeve të punës dhe tregut të punës në kuadër të transformimit drejt ekonomisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Duke u pajtuar se ky proces kërkon përfshirje më të thellë dhe dialog më të strukturuar mes të gjitha palëve.

4. Seminarin Trepalësh për Dialogun Social – TES – i cili synon të forcojë ndërgjegjësimin për ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe projektet e gjelbra, dhe ta vërë në rrugë të mbarë dialogun social i cili nuk është i mjaftueshëm dhe pothuajse mungon tërësish në vendin tonë po edhe në rajon rreth këtyre çështjeve. Në këtë kontekst, u shtrua nevoja për përmirësimin e kapacitetit të partnerëve socialë për t’u angazhuar në dialogun social dhe për t’i lidhur ata me homologët e tyre në vendet e BE-së dhe nivelin e BE-së.

5. Nismat për Qendrat e Ekselencës Profesionale – CoVE – duke u theksuar gjithashtu rëndësia e përfshirjes së Kosovës në nismat për krijimin e Qendrave të Ekselencës Profesionale, të cilat synojnë përmirësimin e aftësive profesionale dhe inovacionit në tregun e punës.

6. Anëtarësimin në ETUC – ky u diskutua gjithashtu procesi i anëtarësimit të BSPK-së në Konfederatën Evropiane të Sindikatave -ETUC, duke përfshirë mundësitë dhe sfidat që ky proces sjell.

Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e dialogut social dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe përmirësimit të standardeve të punës.

Kryetari Hykolli falënderoi përfaqësuesin e BE-së, z. Themel, për përkrahjen profesionale dhe për të gjithë përkushtimin e BE-së me përkrahje të drejtpërdrejtë dhe praktike në drejtim të ngritjes së mirëqenies sociale dhe ekonomike të të punësuarve në Kosovë e sidomos në trasimin e rrugës për ngritjen e dialogut të mirëfilltë social në vendin tonë.

Prishtinë, 25 shtator 2024 – Sot, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës –BSPK-së, Atdhe Hykolli, priti në Zyrat e BSPK-së Kryetarët e Shoqatave Sindikale të punëtorëve të shërbimeve publike, me qëllim të formimit të Këshillit Nismëtar për Themelimin e Federatës Sindikale të Punëtorëve të Shërbimeve Publike. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e zërit sindikal dhe përfaqësimin më të mirë të interesave të punëtorëve në sektorin publik.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, theksoi rëndësinë e bashkimit të këtyre shoqatave, duke nënvizuar se padrejtësitë që u bëhen punëtorëve nga punëdhënësit janë një motivim i fortë për këtë bashkim. “Përballë sfidave të vazhdueshme dhe trajtimit të padrejtë që përjetojnë punëtorët, është jetike që ne të unifikohemi dhe të forcojmë zërin tonë. BSPK është vendi i duhur për të organizuar dhe mbrojtur të drejtat e punëtorëve,” tha ai.

Bashkimi i këtyre shoqatave në një federatë do të krijojë një platformë më të fuqishme për të adresuar shqetësimet e punëtorëve dhe për të promovuar politikat e nevojshme për mbrojtjen e tyre. Kjo iniciativë është e domosdoshme për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të siguruar që zëri i punëtorëve të dëgjohet dhe respektohet.

Pjesëmarrësit në takim shprehën angazhimin e tyre për të punuar së bashku në këtë drejtim dhe për të përshpejtuar procesin e themelimit të Federatës Sindikale të Punëtorëve të Shërbimeve Publike si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e punëtorëve në Kosovë.

Kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve të shërbimeve publike: Shoqata Sindikale e Pastrimit, Shoqata Sindikale e Trafikut Urban, Shoqata Sindikale Parking Prishtina, Shoqata Sindikale KRU Gjakova, Shoqata Sindikale Trainkos, dhe Shoqata Sindikale NPL Tregu SHA Gjilan, të cilat që nga sot do të veprojnë si një Federatë Sindikale e cila do të jetë pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, falënderuan Kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin dhe u zotuan se bashkërisht do të jenë zë i fuqishëm për të mirën e mirëqenies shoqërore e ekonomike të të punësuarve.

Sot, më 17 shtator 2024, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të lartë nga Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, z. Bernd Rützel, të shoqëruar nga stafi i Ambasadës Gjermane në Kosovë, kryesuar nga Zëvendësambasadori në vendin tonë njëherësh Shef i Seksionit Ekonomik, z. Matthias Conrad. Delegacioni u prit nga Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni gjerman shprehu interes të veçantë për të mësuar më shumë rreth anëtarësisë dhe funksionimit të BSPK-së. Në pyetjet e shumta të delegacionit, u theksua shqetësimi i tyre lidhur me faktin se qeveria mbikëqyr dhe menaxhon sistemin e anëtarësimit sindikal nëpërmjet platformës qeveritare e-Kosova. Për përfaqësuesit gjermanë, kjo praktikë ishte e pakutueshme dhe e papranueshme.

Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbimin e përvojave në përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjes sociale për punëtorët kosovarë. Ai gjithashtu siguroi delegacionin gjerman se BSPK-ja është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të siguruar një sistem të drejtë dhe transparent të anëtarësimit sindikal.

Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, falënderoi përfaqësuesit e Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale të Parlamentit Gjerman, dhe stafin e Ambasadës Gjermane në Kosovë, duke ua përcjellë se kjo është vizita e parë e një komisioni parlamentar pavarësisht që Parlamentin e Kosovës e kemi te dera.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e punës dhe çështjeve sociale, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Komunikatë për medie e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

31 maj 2024

Kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, është duke marrë pjesë aktive dhe duke avokuar për të drejtat e punëtorëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Seminarin Trepalësh të Shkëmbimit (TES) 2024 i cili prej 29 majit është duke i zhvilluar punimet në Bruksel në bashkorganizim të Eurofound, të Cedefop, të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), dhe të Fondacionit Evropian të Trajnimit (ETF).

Seminari Trepalësh i Shkëmbimit (TES) 2024 është fokusuar në tranzicionin e gjelbër dhe të drejtë, dhe paraqet një mundësi unike për Kosovën që të mësojë nga përvojat evropiane, të shkëmbejë ide dhe të kontribuojë në formësimin e politikave që promovojnë një tranzicion të gjelbër dhe të drejtë

Seminari Trepalësh i Shkëmbimit (TES) 2024 është një ngjarje e rëndësishme që synon rritjen e dialogut social dhe adresimin e sfidave të tranzicionit të gjelbër dhe të drejtë.

Ngjarja ka mbledhur së bashku partnerë socialë, përfaqësues të qeverive të shteteve anëtare dhe ekspertë botërorë për të diskutuar çështje kritike që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, punësimin dhe aftësitë.

Seminari Trepalësh i Shkëmbimit (TES) 2024 është i rëndësishëm për Kosovën, se synon të forcojë mekanizmat e dialogut social nga të cilat mund të përfitojë Kosova gjatë rrugëtimit të saj drejt tranzicionit të gjelbër e të drejtë, ndërsa përpiqet të kalojë drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin.

TES ofron një platformë për palët e interesuara për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira të tranzicionit të gjelbër e të drejtë. Tranzicioni i gjelbër ndikon në aspekte të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë marrëdhëniet industriale, mundësitë e punësimit dhe aftësitë e fuqisë punëtore.

Partnerët socialë – si sindikatat, shoqatat e punëdhënësve dhe përfaqësuesit e qeverisë që e përbëjnë Këshillin Ekonomiko Social – e që ka kohë që nuk është konstituar – luajnë një rol vendimtar në sigurimin e një tranzicioni të gjelbër e të drejtë. Duke nxitur mësimin e ndërsjellë dhe duke stimuluar debate largpamëse, TES synon të forcojë mekanizmat e dialogut social nga të cilat mund të përfitojë Kosova.

Nëpërmjet TES-it po krijohet një bashkësi praktike nga të gjithë partnerët socialë dhe shtetet anëtare. Ky komunitet do të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e dialogut social dhe kontributin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm.

Dhe që të arrihet kjo, Kryetari Hykolli thërret dhe pret që partneri social – Qeveria të nisë rrugëtimin drejt tranzicioinit të gjelbër dhe të drejtë duke konstituar Këshillin Ekonomiko Social, duke jetësuar Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe të gjitha këto me respektim dhe me ngritje në nivelin e duhur të dialogut social i cili është më se i nevojshëm për ecje drejt proceseve demokratike e zhvillimore të Kosovës.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

30 tetor 2023

Vendimi i sotëm, 30 tetor 2023, i Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës, z. Enis Abdurrahmani, i cili u mor për largimin e përkohshëm nga puna të sindikalistëve Ibrahim Januzi, Fevzi Ademi, Destan Kerleshi, Gani Osmani dhe Esat Meha, punëtorë të Shoqërisë Aksionare Trepça është i papranueshëm dhe tej ndjellakeq e njëkohësisht edhe i rrezikshëm.

Të largosh nga puna veprimtarët sindikalistë vetëm e vetëm se janë pranë Minatorëve në kërkesat e tyre të drejta është më shumë se tejet ndjellakeq pasi që prish demokracinë dhe përdhos djersën e Minatorit.

Çdo kush që merr këso lloj vendimi të padrejtë dhe të pabazuar e të pambështetur ligjësisht bën shkelje të rëndë po njëkohësisht edhe NDJELLKEQ në mjedisin tonë demokratik duke e rrënuar demokracinë dhe duke u munduar t’ia marrë të drejtën Minatorit tonë për të përdorur mjetet kushtetuese e ligjore për të mbrojtur të drejtën e fituar nga mundi e djersa.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e dënon rënd këtë akt të shëmtuar dhe tejet ndjellakeq i cili pengon organizimin sindikal po edhe njëkohësisht përdhos djersën dhe mundin e minatorit tonë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme ligjore sindikale e edhe ato të fundit për të prapësuar këtë veprim të keq e ndjellakeq.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që Partneri Social – Qeveria të bëjë hapin e duhur dhe të tërheq këtë vendim tejet dëmtues për demokracinë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

Sot, më 25 shtator 2023, e hënë, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, u takua me Përfaqësuesit e KFOR-it, të udhëhequr nga Togeri Luca Bissetto, Komandant i Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim, përgjegjës për Komunën e Prishtinës.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, në takimin e informoi Togerin Luca Bissetto dhe ekipin e tij përkitazi me aktivitetet sindikale në kuadër të BSPK-së dhe bisedoi edhe për çështje të tjera me rëndësi për mirëqenien ekonomiko e shoqërore të të punësuarve, dhe njëkohësisht falënderoi KFOR-in për gjithë angazhimin dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë në vendin tonë, e sidomos në përkrahjen që po ia jep BSPK-së.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, ia përcolli përfaqësuesve të KFOR-it edhe njëherësh përkushtimin e BSPK-së në drejtim të ngritjes dhe të kultivimit të bashkëpunimit të qëndrueshëm e parimor me të gjithë partnerët, qëllim ky për të ruajtur dinjitetin e të punësuarit pa e prishur rendin e qetësinë shumë të nevojshme në mjedisin tonë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së 

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës
14 shtator 2023
Sot, më 14 shtator 2023, e enjte, në kuadër të zgjerimi të bashkëpunimit, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, priti në takim përfaqësuesen e ILO-s nga zyra e Evropës Qendrore dhe Lindore, znj. Natasha Mechkaroska Simjanoska.

Në takim me përfaqësuesen e ILO-s, znj. Natasha Mechkaroska Simjanoska u bisedua rreth projektit të Be-së dhe të ILO-s – Risi në Politikat e Punësimit për të Rinjtë, dhe për rolin që mund të luajë dhe të ketë në këtë projekt BSPK.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, e informoi përfaqësuesen e ILO-s për kapacitetet profesionale të BSPK-së duke shprehë gatishmërinë e plotë të BSPK-së për të dhënë kontributin profesional në këtë projekt të rëndësishëm të BE-së dhe ILO-s në dobi të rritjes së punësimit në vendin tonë.

Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, mirëpriti propozimet e përfaqësueses së ILO-s lidhur me projektin që rritë mundësitë e punësimit, dhe premtoi se BSPK do të luajë rolin e saj në këtë projekt të rëndësishëm duke ndihmuar me kapacitet e saj profesionale.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

18 korrik 2023

Sot, e martë, më 18 korrik 2023, në vazhdën e takimeve të rregullta, Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli bisedoi me zyrtarët e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Me z. Richard dhe me znj. Raba nga Ambasada Amerikane në Kosovë u bisedua rreth punës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e sidomos për avokimin e BSPK-së në drejtim të shtyrjes së proceseve që ndërlidhen me projektligjet që tashmë janë në proces në Kuvendin e Kosovës e që kanë të bëjnë me ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të të punësuarve, si ai për plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe ai për sigurimin shëndetësor.

Theks i veçantë u vu në çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të respektimit të tyre nga ana e punëdhënësve. Po ashtu u bisedua edhe për rastet e shkeljes së këtyre të drejtave dhe lirive nga punëdhënësit e sidomos për kushtet e punës dhe orarin e zgjatur të punës gjithandej Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me Inspektoratin e Punës.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së 

Në mesnatën e 25 marsit 1999, ata, që edhe sot nuk ia duan të mirën këtij vendi duke i krijuar pengesa pa i kërkuar asnjëherë falje për të këqijat e bëra, e ekzekutuan Agimin, Agim Hajrizin, bashkë me të birin, Ilirin, 11 vjeçar, dhe me Nënën Nazmije. Dhe atë natë u vranë tri gjenerata, por ajo që kishte nisur Agimi, jeton dhe do të jetojë.

Agimi ishte Kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, dhe roli i tij dhe i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në të 90-at ishte i rëndësishëm. Agimin e shihje gjithandej ku mbrohej e drejta e Kosovës.

Dhe ne sot e kujtojmë, dhe do ta kujtojmë gjithherë Agimin, do të kujtojmë guximin e tij dhe veprën e tij me gjithë veprimtarinë e tij në jetën sindikale të Kosovës po edhe në jetën politike të Kosovës së para luftës.

Kryetari i BSPK-së
Atdhe Hykolli

Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

9 mars 2023

Sot, e enjte, më 9 mars 2023, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, gjatë zhvillimeve të të punimeve të PERC në Bruksel u takua me z. Rudy Porter, Drejtorin e Programit Regjional për Evropën dhe Azinë Qendrore të Solidarity Center.

Takimi me Drejtorin e Programit Regjional për Evropën dhe Azinë Qendrore të Solidarity Center kishte të bëjë kryesisht me gjendjen aktuale të të punësuarve në Republikën e Kosovës dhe për mundësitë e ngritjes së bashkëpunimit BSPK – Solidarity Center.

Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, e informoi z. Rudy Porter për organizimin sindikal në Kosovë e në veçanti për organizimin e BSPK-së e sidomos për aktivitetet sindikale ndërlidhur me gjendjen aktuale në të cilën po kalojnë të punësuarit në Republikën e Kosovës.

Z. Rudy Porter i premtoi z. Hykolli përkrahjen profesionale të Solidarity Center për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të BSPK-së po edhe të kapaciteteve profesionale të të punësuarve, e njëkohësisht e përgëzoi BSPK-në për punën që bën në mbrojtje të të drejtave të punësuarve të Kosovës, e në mes të tjerash i tha Kryetarit Hykolli se Solidarity Center ka ndjekur me interes grevën e përgjithshme dhe ju urojme për arritjet tuaja. Po ashtu tha se duhet të zhvillojmë bashkëpunimin midis BSPK-së dhe Solidarity Center nëpërmjet projekteve konkrete, dhe përkitazi me këtë në fillim të qershorit planifikoj të bej një vizitë në Kosove dhe të kemi takime me sindikatat e profesioneve të ndryshme.

Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, e falënderoi z. Rudy Porter për gjithë përkrahjen që Solidarity Center i ka dhënë dhe po i jep BSPK-së, e po ashtu i uroj mirëseardhje në Kosovë në qershor me dëshirën që të intensifikohet bashkëpunimi BSPK – Solidarity Center.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së