Bruksel, 16 korrik 2026
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, Prof. dr. Atdhe Hykolli, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian – EESC, bashkë me z. Blendor Shatri, Kryetarin e Komisionit Statuar të BSPK-së, mori sot pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në kuadër të Sesionit Plenar të EESC-së, në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian në Bruksel.
Debati u hap me fjalën e Kryetarit të EESC-së, Séamus Boland, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Në punimet e sesionit morën pjesë anëtarët e EESC-së nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, si dhe përfaqësues të sindikatave, të punëdhënësve dhe të shoqërisë civile nga vendet kandidate për anëtarësim, të cilët riafirmuan rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian si investim gjeostrategjik për një Evropë të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, si dhe rolin e dialogut social dhe të partnerëve socialë në këtë proces.
Në kuadër të punimeve të sesionit plenar, Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, zhvilloi takime të veçanta me Kryetarin e EESC-së, Séamus Boland, dhe me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Kryetari Boland dhe Komisionerja Kos shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me BSPK-në në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ata vlerësuan rolin e sindikatave në forcimin e dialogut social dhe në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke theksuar se përfshirja e partnerëve socialë është e domosdoshme që procesi i zgjerimit të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe punëtorët. Në këto takime u shpreh edhe vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BSPK-së dhe institucioneve evropiane në të mirë të punëtorëve dhe të rrugëtimit evropian të vendit.
Pas takimeve, Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, tha:
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian nuk mund të jetë vetëm rrugë e institucioneve. Ajo duhet të jetë rrugë e njerëzve, e para së gjithash e punëtorëve. Interesimi i shprehur sot nga nivelet më të larta evropiane për të punuar ngushtë me BSPK-në dëshmon se zëri i punëtorëve të Kosovës dëgjohet në Bruksel dhe se ky zë do të jetë i pranishëm në çdo tryezë ku vendoset për të ardhmen evropiane të vendit tonë.”
BSPK do të vazhdojë angazhimin e saj të përkushtuar që procesi i integrimit evropian të ecë krah për krah me dinjitetin, të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve, si dhe do të thellojë bashkëpunimin me EESC-në dhe institucionet evropiane në kuadër të përfaqësimit të botës së punës së Republikës së Kosovës në strukturat evropiane.










