Sot, më 17 shtator 2024, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të lartë nga Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, z. Bernd Rützel, të shoqëruar nga stafi i Ambasadës Gjermane në Kosovë, kryesuar nga Zëvendësambasadori në vendin tonë njëherësh Shef i Seksionit Ekonomik, z. Matthias Conrad. Delegacioni u prit nga Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni gjerman shprehu interes të veçantë për të mësuar më shumë rreth anëtarësisë dhe funksionimit të BSPK-së. Në pyetjet e shumta të delegacionit, u theksua shqetësimi i tyre lidhur me faktin se qeveria mbikëqyr dhe menaxhon sistemin e anëtarësimit sindikal nëpërmjet platformës qeveritare e-Kosova. Për përfaqësuesit gjermanë, kjo praktikë ishte e pakutueshme dhe e papranueshme.
Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbimin e përvojave në përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjes sociale për punëtorët kosovarë. Ai gjithashtu siguroi delegacionin gjerman se BSPK-ja është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të siguruar një sistem të drejtë dhe transparent të anëtarësimit sindikal.
Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, falënderoi përfaqësuesit e Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale të Parlamentit Gjerman, dhe stafin e Ambasadës Gjermane në Kosovë, duke ua përcjellë se kjo është vizita e parë e një komisioni parlamentar pavarësisht që Parlamentin e Kosovës e kemi te dera.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e punës dhe çështjeve sociale, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.
Zyra e Kryetarit të BSPK-së