Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

30 tetor 2023

Vendimi i sotëm, 30 tetor 2023, i Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës, z. Enis Abdurrahmani, i cili u mor për largimin e përkohshëm nga puna të sindikalistëve Ibrahim Januzi, Fevzi Ademi, Destan Kerleshi, Gani Osmani dhe Esat Meha, punëtorë të Shoqërisë Aksionare Trepça është i papranueshëm dhe tej ndjellakeq e njëkohësisht edhe i rrezikshëm.

Të largosh nga puna veprimtarët sindikalistë vetëm e vetëm se janë pranë Minatorëve në kërkesat e tyre të drejta është më shumë se tejet ndjellakeq pasi që prish demokracinë dhe përdhos djersën e Minatorit.

Çdo kush që merr këso lloj vendimi të padrejtë dhe të pabazuar e të pambështetur ligjësisht bën shkelje të rëndë po njëkohësisht edhe NDJELLKEQ në mjedisin tonë demokratik duke e rrënuar demokracinë dhe duke u munduar t’ia marrë të drejtën Minatorit tonë për të përdorur mjetet kushtetuese e ligjore për të mbrojtur të drejtën e fituar nga mundi e djersa.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e dënon rënd këtë akt të shëmtuar dhe tejet ndjellakeq i cili pengon organizimin sindikal po edhe njëkohësisht përdhos djersën dhe mundin e minatorit tonë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme ligjore sindikale e edhe ato të fundit për të prapësuar këtë veprim të keq e ndjellakeq.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që Partneri Social – Qeveria të bëjë hapin e duhur dhe të tërheq këtë vendim tejet dëmtues për demokracinë.

Zyra e Kryetarit të BSPK-së