Në Forumin e Bashkëpunimit të Unionit të Mediave, mbajtur sot, më 2 nëntor 2024, në Kukës, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Prof. Dr. Atdhe Hykolli, përfaqësues të sindikatave të gazetarëve dhe punonjësve të mediave nga Shqipëria dhe nga Kosova diskutuan rreth temave përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët në rajon.
Forumi u shqua si një platformë për ndarjen e përvojave dhe ideve për forcimin e strukturave sindikale, të cilat janë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët për të garantuar një ambient pune të sigurt, të drejtë dhe etik, ndërsa përballen me sfidat e përditshme që hasin gazetarët në rajon.
Një nga çështjet kryesore që u diskutua ishte përmirësimi i kushteve të punës për gazetarët, duke përfshirë pagat, sigurinë në punë dhe mekanizmat e negociatave kolektive. Në forum u përmend se gazetaria është shpeshherë një profesion i rrezikshëm dhe me shumë sfida, dhe ky forum paraqet një mundësi për t’i adresuar këto çështje.
Gjithashtu, u theksua nevoja e një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes sindikatave të gazetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për identifikimin e synimeve të përbashkëta dhe për zhvillimin e nismave që mbështesin gazetarët në të dy vendet. Takimi i mbajtur në Kukës, një zonë afër kufirit, përforcon simbolikën e unitetit dhe bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në përmbyllje të forumit, u riafirmua përkushtimi i sindikatave për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të drejtë për gazetarët, si dhe për forcimin e standardeve etike dhe të drejtave të punës në këtë profesion.