Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, priti sot në takim Kryetarin e rizgjedhur të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Prof. Dr. Atdhe Hykollin, të cilin e uroi për rizgjedhjen dhe për mandatin e ri në krye të organizatës më të madhe sindikale në vend.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të qetë, të hapur e miqësore, me një bisedë të sinqertë dhe konstruktive, si dhe me shkëmbim pikëpamjesh për çështje të rëndësishme që lidhen me pozitën e punëtorëve, me mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe me avancimin e dialogut social në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për ta vazhduar dhe për ta forcuar bashkëpunimin me BSPK-në, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët në mbrojtjen, në forcimin dhe në zbatimin e të drejtave të punëtorëve.

Biseda mes Kryeministrit Kurti dhe Kryetarit të BSPK-së u zhvillua edhe në frymën e një njohjeje dhe e një angazhimi të hershëm të përbashkët. Të dy kanë qenë bashkë në udhëheqjen e lëvizjes studentore dhe në organizimin e protestave e të marshimeve studentore, në një periudhë të rëndësishme të angazhimit shoqëror e studentor.

Kryetari i BSPK-së, Prof. Dr. Atdhe Hykolli, e falënderoi Kryeministrin Kurti për pritjen dhe për urimin, duke vlerësuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë e të hapur ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të punëtorëve.

Në takim u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për një dialog social të rregullt, të sinqertë e përmbajtjesor, me synim adresimin e çështjeve dhe të sfidave me të cilat përballen punëtorët, si dhe krijimin e kushteve më të mira të punës e të jetesës për ta.

BSPK-ja e vlerëson këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe avancimit të dialogut social në Kosovë, me bindjen se kjo frymë e mirë e komunikimit dhe e mirëkuptimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të mirë të punëtorëve dhe të shoqërisë së Republikës së Kosovës.