Prishtinë, 25 shtator 2024 – Sot, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës –BSPK-së, Atdhe Hykolli, priti në Zyrat e BSPK-së Kryetarët e Shoqatave Sindikale të punëtorëve të shërbimeve publike, me qëllim të formimit të Këshillit Nismëtar për Themelimin e Federatës Sindikale të Punëtorëve të Shërbimeve Publike. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e zërit sindikal dhe përfaqësimin më të mirë të interesave të punëtorëve në sektorin publik.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, theksoi rëndësinë e bashkimit të këtyre shoqatave, duke nënvizuar se padrejtësitë që u bëhen punëtorëve nga punëdhënësit janë një motivim i fortë për këtë bashkim. “Përballë sfidave të vazhdueshme dhe trajtimit të padrejtë që përjetojnë punëtorët, është jetike që ne të unifikohemi dhe të forcojmë zërin tonë. BSPK është vendi i duhur për të organizuar dhe mbrojtur të drejtat e punëtorëve,” tha ai.

Bashkimi i këtyre shoqatave në një federatë do të krijojë një platformë më të fuqishme për të adresuar shqetësimet e punëtorëve dhe për të promovuar politikat e nevojshme për mbrojtjen e tyre. Kjo iniciativë është e domosdoshme për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të siguruar që zëri i punëtorëve të dëgjohet dhe respektohet.

Pjesëmarrësit në takim shprehën angazhimin e tyre për të punuar së bashku në këtë drejtim dhe për të përshpejtuar procesin e themelimit të Federatës Sindikale të Punëtorëve të Shërbimeve Publike si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e punëtorëve në Kosovë.

Kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve të shërbimeve publike: Shoqata Sindikale e Pastrimit, Shoqata Sindikale e Trafikut Urban, Shoqata Sindikale Parking Prishtina, Shoqata Sindikale KRU Gjakova, Shoqata Sindikale Trainkos, dhe Shoqata Sindikale NPL Tregu SHA Gjilan, të cilat që nga sot do të veprojnë si një Federatë Sindikale e cila do të jetë pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, falënderuan Kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin dhe u zotuan se bashkërisht do të jenë zë i fuqishëm për të mirën e mirëqenies shoqërore e ekonomike të të punësuarve.