BSPK mori pjesë në tryezën e diskutimit ku u shtjellua tema “Gjendja e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë”, e organizuar në kuadër të Iniciativës Regjionale për Përmirësimin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Ballkanin Perëndimor, PEN - Peer Educators Network dhe Qendra për Politika dhe Avokim.
Paneli i përbërë nga Zv. Ministri i Punës dhe Udhëheqësi i Këshillit Kombëtar për Shëndet dhe Siguri në Punë - Çerkin Dukolli, Kryeinspektori i Punës - Basri Ibrahimi, Kryetari i BSPK-së – Avni Ajdini dhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës - Besim Mustafa, fillimisht patën nga një fjalë hyrëse lidhur me temën.
Me këtë rast Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini, tha se shëndeti dhe siguria në punë, është një çështje shumë e rëndësishme të cilës duhet dhënë prioritet secili nga akterët relevant, ngase aksidentet në punë veç janë përshkallëzuar dhe shendit e siguria e punëtorëve çdo ditë po rrezikohet në vendpunimet tona sidomos në disa profile të caktuara të punëve si në ndërtimtari, energjetikë etj. Andaj është koha që të bëjmë politika sa më reale dhe ndërmarrim masa konkrete që t’i vetëdijesojmë si punëdhënësit ashtu dhe punëtoret lidhur me këtë problematik dhe njëherit të jemi sa më të vëmendshëm në mbikëqyrjen e implementimit të normave ligjore që mbulojnë këtë fushë.
Nga Zv.Ministri- Çerkin Dukolli, të pranishmit u njoftuan se Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet është duke hartuar dhe miratuar planin e punës të veprimit dyvjeçar të Këshillit 2018 – 2019, ku do të parashihen objektivat dhe aktivitetet e caktuara në funksion të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Gjithashtu KNSSHP është duke shqyrtuar çështjen e sëmundjeve profesionale që mund të fitohen si pasojë e vendit të punës, dhe i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë regjistrin e këtyre sëmundjeve e cila listë së së shpejti presim të finalizohet.
Ndërkohë përfaqësuesit pranishem në tryezë, nga sindikatat, ministritë, shoqëria civile e të tjerë patën mundësinë të diskutojnë me panelistët kornizën ligjore që rregullon fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë, gjendjen aktuale në Kosovë, të drejtat e punëtorëve dhe punëdhënësve dhe sfidat me të cilat ballafaqohet secila palë.
Në tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësues/e të organizatave partnere nga Shqipëria dhe Serbia, me ç`rast edhe ndanë me të tjerët informata dhe statistika nga shtetet e tyre dhe hapën një diskutim me fokus tek shkëmbimi i praktikave të mira mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë tryezë u raportua se për këta nëntë muaj të këtij viti kemi 18 raste më fatalitet.
Nga këto 2 vdekje natyrore dhe 78 lëndime.
Konkluzionet e dala nga kjo tryezë ishin:
• Gjendja e sigurisë së punëtoreve në vendet e punës nuk është e mirë;
• Organizmi dhe fuqizimi i sindikatave edhe në sektorin privat;
• Edukimi i punëdhënësve dhe formimi i këshillave brenda organizatave (bizneseve) për sigurinë dhe shëndetin në punë;
• Duhet të kemi një bashkëpunim më të ngjeshur rajonal lidhur me timen dhe shkëmbimin e përvojave etj.