BSPK në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung-FES dhe Asociacionin e Kosovës për Marketing dhe Industrinë e Tekstilit- KAMA, mbajti në Prizren tryezën më temën: "Dialogu social në nivel lokal në interes të zhvillimit të industrisë së tekstilit”.
Ky aktivitet është vazhdë e aktiviteteve të tilla të zhvilluara kohë më parë në Gjakovë dhe ka për qëllim sensibilizimin e çështjes së dialogut dhe zhvillimin e këtij dialogu në nivel lokal dhe sektorial. Aktualisht në vendin tonë është duke u zhvilluar dialogu social në nivel kombëtarë dhe si i tillë është i rregulluar edhe me dispozitat e aplikueshme në vend, mirëpo kemi ngecja të këtij dialogu sa i përket zhvillimit në nivel lokal dhe atë sektorial si dhe kemi një dialog social pothuajse inegzistent në sektorin privat.
Andaj, për ta ngritur si çështje zhvillimin e dialogut në këtë komunë si pikë fillestare është organizuar kjo tryezë ku morën pjesë përfaqësues të punëdhënëseve, konkretisht përfaqësues të Odes Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale si dhe përfaqësues të bizneseve.
Nënkryetarja e BSPK Leonora Lokaj, fillimisht beri një elaborim të zhvillimit të dialogut social në nivel vendi, theksoj rendesine e funksionimit të KES-it, organizmin sindikal në vend, citoj rolin e shtrirjes së sindikatave në nivel lokal si dhe rëndësinë e tyre në politikbërjen e përgjithshme në ngritjen e dinjitetit të punëtoreve dhe avancimin e të drejtave të tyre. Në këtë fjalim u potencua fakti se sa më shumë që afirmohen të drejtat e punëtoreve, implementohen dispozitat që rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës, do të kemi punëtorë me profesional brenda kompanive-bizneseve të ndryshme dhe aq me shumë do të kemi punëtorë stabil për tregun e punës, sepse duke krijuar ambient të shendosh dhe stabilitet të punëtoreve do të krijojmë vetëbesim, punë me të suksesshme dhe njëherit do të krijojmë edhe bindjen tek punëtoret se kompanitë tona krijojnë kushte që ata të mbeten edhe me tejë pjesë e këtyre kompanive dhe të mos kërkojnë punë në vendet tjera, fenomen ky që tash së fundi është duke ecur me përmasa të mëdha. Është e dhimbshme që një biznes të investoj në kualifikimet apo ngritjen e profesionalizmit të punëtoreve në një lami të caktuar dhe si rezultat i mos sigurisë në kontrata apo edhe shkeljeve tjera evidente të detyrohen ta lëshojnë punën. Kjo është humbje e dy anshme qoftë e bizneseve por edhe e punëtorëve dhe zhvillimi i një dialogu social ne nivele lokale apo kompanie është nevojë imediate për të krijuar një ambient punë me të mirë për punëtoret dhe pse jo, për të ndikuar në të gjitha politikat shtetërore që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës duke filluar nga lidhja e një marrëdhënie pune, krijimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme në punë e deri të përfundimi i punësimit.
Ndër të tjera në këtë tryezë me te pranishmit u bisedua edhe për sfidat e sektorit te tekstilit, procedurat burokratike te administratës shtetërore në dëm të bizneseve, rëndësinë e shtrirjes së sindikatave në këtë sektor, sfidat, përparësitë, mundësitë ligjore dhe përkrahja që po mundohet ta jepë BSPK për organizimin e sindikatave në sektorin privat.
08.10.2018